Trajneri Pep Guardiola beson se përvoja e tij si gjashtë herë kampion i Ligës Premier do ta ndihmojë Manchester Cityn të rikthehet në garë për titull, pavarësisht fillimit të ngadaltë këtë sezon.
Pas tetë viteve dominim me gjashtë kampionate të fituara, City aktualisht renditet në vendin e pestë – gjashtë pikë prapa liderit Arsenal dhe ka pësuar tri humbje në kampionat.
“Do të thoja se sezoni nuk ka qenë i keq. Nuk ka qenë perfekt, por kam ndjesinë se do të jetë një sezon i mirë. Që nga fillimi e kam pasur këtë ndjesi, për shumë arsye.”
Trajneri katalunas pranoi se rivali kryesor, Arsenal, po kalon një formë të jashtëzakonshme: “Ata janë një skuadër solide, shumë efektive dhe dinë të menaxhojnë çdo situatë. Por sezoni është shumë i gjatë, prandaj duhet të qëndrojmë aty pranë tyre.”
Guardiola kujtoi se në fund të sezonit të kaluar City nuk arriti të sfidonte Liverpoolin për shkak të lëndimeve.
“Ajo që lutem këtë sezon është të kem skuadrën të plotë. Kur e kemi patur skuadrën gati, në 15-20 ndeshjet e fundit kemi qenë më të mirët në Ligën Premier”.
Megjithatë, trajneri nuk e dramatizon situatën: “Në dhjetë vjet, mund të kesh dy ose tre muaj jo të mirë – ndodh. Nuk është ndonjë katastrofë. Në përgjithësi jam i kënaqur me shumë gjëra këtë sezon. Madje, jam i lumtur”, tha ai për "Sky Sports".
City të dielën vazhdon garën në kampionatin anglez si nikoqir i Bourenmouthit.