Spalletti synon garën për titull me Juve pavarësisht fillimit të dobët

- Bota Sot

Spalletti synon garën për titull me Juve pavarësisht fillimit të dobët

Luciano Spalletti beson se Juventusi ende mund të luftojë për titullin në Serie A, edhe pse aktualisht ndodhet në vendin e shtatë të renditjes.

Ish-trajneri i Italisë ka shpjeguar të premten pse ka pranuar një marrëveshje afatshkurtër për ta rikthyer në formë skuadrën që po kalon vështirësi.

Gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçari është emëruar trajner të enjten, deri në fund të sezonit, pas shkarkimit të Igor Tudor, i cili nuk kishte arritur fitore në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Juve është gjashtë pikë larg Napoli që është kryesues, skuadrën të cilën Spalletti e kishte udhëhequr drejt titullit të parë pas tridhjetë e tri vitesh.

Ai ka theksuar se nuk do të nënshkruante kontratë tetëmujore po të mos besonte në mundësinë për trofe.

“Shpresoj të rikthehemi në garë për ‘Scudetto’, pse jo? Për këtë po flisnim dje me lojtarët në zhveshtore”, ka thënë Spalletti para gazetarëve.

“Duhet të kemi synime të larta sepse janë luajtur vetëm nëntë ndeshje dhe kanë mbetur edhe njëzet e nëntë, kjo është shumë. Kam parë çdo gjë gjatë mbi tridhjetë viteve të karrierës sime”.

Ky emërim shënon rikthimin e shpejtë të Spallettit në drejtimin e një klubi, pasi ai e kishte drejtuar Italinë deri në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë në Euro 2024, por ishte shkarkuar në qershor pas fillimit të dobët në kualifikimet për Botëror.

“Përshtypjet e para janë fantastike. Të gjithë e dimë historinë e këtij klubi dhe pritjet e mëdha që ekzistojnë. Të jesh pjesë e kësaj është një ndjenjë e mrekullueshme”, ka thënë ai.“Dëshira për ta kthyer këtë skuadër në majë është thelbësore. Kam shumë respekt për Igor Tudor, e njoh dhe e di si punon. Jam i bindur se do të gjej një ekip të stërvitur mirë”.

Pavarësisht fillimit të dobët, trajneri i ri ka vendosur objektiva ambiciozë: “Synimet tona janë të larta. Duhet të kthehemi në zonën e Champions League dhe të rregullojmë rrugën sepse skuadrat e tjera po ecin shpejt”, ka thënë ai. 

Spalletti, që mban në krah tatuazhin e titullit historik me Napoli, u është përgjigjur edhe kritikave nga tifozët napolitanë të zhgënjyer me pranimin e ofertës së Juventus.

“Në Napoli ndodhi diçka e jashtëzakonshme, falë bukurisë së futbollit që luajtëm dhe suksesit që arritëm. Krijova një lidhje të veçantë me ata njerëz”, ka thënë ai. “Sot në mëngjes më duhej të bëja disa analiza dhe kërkova që gjakun ta merrnin nga krahu tjetër, sepse nuk doja të prekeshin tatuazhet. Asgjë nuk do të ndryshojë për mua, gjithmonë do të kem shumë miq në Napoli.”

Ndeshja e parë e Spalletti në krye të Juventusit do të jetë të shtunën ndaj Cremonese, që renditet në vendin e tetë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot