Sulmuesi Fiton Ademi ishte ndër më të spikaturit në këtë triumf, duke kontribuar me gol dhe asist.
Shkëndija merr fitoren e 7-të sezonale pasi mundim 3:2 AP Bereran në duelin e xhiros së 11-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Sulmuesi Fiton Ademi ishte ndër më të spikaturit në këtë triumf, duke kontribuar me gol dhe asist. Kërstevski dhe Krasniqi shënuan dy golat tjerë, derisa portieri Gaye ishte vendimtar me pritjen e penaltisë së Ndzegues, me këtë të fundit që shënoi dy golat për vendasit (54’ dhe 70’).
“Fillimisht jam i lumtur për fitoren, pasi u rikthyem te triumfi pas asaj ndeshje të rëndë që e humbëm në xhiron paraprake në Tetovë.
Për mua personalisht, më shumë vlerë ka fitorja e ekipit se sa golat dhe asistet, pasi prej një sulmuesi ato edhe priten”, deklaroi pas ndeshjes sulmuesi Fiton Ademi, i cili nuk fsheh kënaqësinë që kthehet te goli.
“I lumtur për rikthimin dhe fitoren e ekipit dhe duhet të vazhdojmë tutje me motivim dhe përkushtim për secilën ndeshjen që na pret. Sigurisht golat dhe asistet, gjithmonë e ndihmojnë sulmuesin për të arritur një fazë më të mirë dhe për më shumë vetëbesim. Unë do të vazhdoj të punoj, ashtu siç kam punuar deri më tani dhe shpresoj të kontribuoj sa më shumë për ekipin”, shtoi Ademi.
Ai vlerëson se skuadra duhej të ishte më e kujdesshme në menaxhimin e lojës, pasi me më shumë koncentrim duhej t’ia kishim lehtësuar vetes.
“Ne pak neglizhuam në pjesën e dytë, humbëm koncentrimin pas golit që e morëm, por në fund e arritëm qëllimin, pasi objektivi ishte tre pikëshi për ndeshjen e sotme”, përfundoi Fiton Ademi.