Aeroplanët luftarakë polakë MiG-29 kapën sërish një aeroplan rus zbulimi mbi Detin Baltik.
Lajmi u bë i ditur nga Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake.
Edhe pse nuk pati shkelje të hapësirës ajrore polake, ky është incidenti i tretë i tillë brenda kësaj jave, raporton PolskieRadio24.
Aeroplanët polakë u ngritën para orës 9 të mëngjesit të sotëm për të identifikuar aeroplanin rus.
Ky i fundit po fluturonte pa transponderin e tij të ndezur dhe pa një plan fluturimi të paraqitur më parë, njoftoi Komanda Operacionale.
"Aeroplani rus Il-20 fluturoi përsëri pa një plan fluturimi të paraqitur dhe me transponderin e fikur, duke paraqitur një kërcënim potencial për sigurinë e trafikut në rajon," thuhet në deklaratë.
Aeroplanët polakë në përputhje me procedurat e NATO-s, identifikuan dhe shoqëruan avionin e huaj.
Sipas komandës polake, aktiviteti i aviacionit rus në rajonin e Baltikut është në rritje dhe ushtria polake është e gatshme për të reaguar.