Bryan Mbeumo po vazhdon të shkëlqejë në aventurën e tij te Manchester United.
Sulmuesi kamerunas është votuar si lojtari i muajit tetor te “Djajtë e Kuq”, sipas konfirmimit nga faqja zyrtare e klubit.
26-vjeçari, i transferuar këtë verë nga Brentford-i, e ka fituar këtë vlerësim për herë të dytë në tre muaj, duke treguar ndikimin e menjëhershëm në ekip dhe rëndësinë e tij në skemën e trajnerit.
Mbeumo mori plot 67% të votave të tifozëve, një përqindje mbizotëruese që pasqyron formën e tij fantastike dhe lidhjen me publikun.
Pas tij u rendit portieri Senne Lammens me 21%, ndërsa votat e mbetura u shpërndanë mes kandidatëve të tjerë.
Në tri ndeshjet e muajit tetor, ‘ylli’ kamerunas realizoi tre gola dhe dha një asist, duke qenë vendimtar në rezultatet pozitive të United dhe duke konfirmuar veten si një nga futbollistët më në formë të Premier League javët e fundit.
Një fillim i jashtëzakonshëm i sezonit për Mbeumo, i cili duket se po bëhet shpejt një pikë referimi në sulmin e Manchester United dhe një idhull për tifozët në “Old Trafford”.