Arrestohet në Prishtinë i dyshuari për 8 vjedhje të rënda – i konfiskohet ari me vlerë mijëra euro

- Gazeta e Prizrenit

Arrestohet në Prishtinë i dyshuari për 8 vjedhje të rënda – i konfiskohet ari me vlerë mijëra euro

Një person i kërkuar për disa raste vjedhjesh është arrestuar nga Policia e Kosovës në kryeqytet, pas një pune të gjatë operative dhe hetimore. Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur për Gazetën Sinjali se bëhet fjalë për B. M. Cej rreth 52-vjeçar nga Mitrovica, i dyshuar për të paktën tetë raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda të ndodhura në Prishtinë dhe rrethinë.

Një nga rastet për të cilat ai akuzohet është ai i 26 qershorit 2025, kur në rrugën “Prekazi” në Prishtinë, viktima B. I rreth 31-vjeçar ka raportuar se gjatë kohës që kishte munguar nga banesa, persona të panjohur kishin depërtuar brenda dhe i kishin vjedhur stoli ari me vlerë prej rreth 7,000 euro.

Pas hetimeve intensive dhe ndjekjes së pistave operative, policia ka arritur më 31 tetor 2025 të arrestojë të dyshuarin Cej, ndaj të cilit ekzistojnë prova se ka qenë i përfshirë në disa raste të ngjashme.

I dyshuari është intervistuar për të gjitha rastet, ndërsa pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është proceduar kallëzimi penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.


Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së tij kriminale dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit