Faza e dytë e Abissnet Superiore shtyhet me 24 orë për shkak se e diela (2 nëntor ) është shpallur Ditë Zie Kombëtare pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano.
Sa i përket transmetimit të ndeshjeve në Rrjetin e Radio Televizonit Shqiptar ju bëjmë me dije se faza e dytë nis në RTSH Sport HD ku të hënën do të transmetohet në orën 14:00 ndeshja mes Tiranës dhe Bylisit.
Po të hënën do të luhen edhe dy ndeshje të tjera, të cilat do të transmetohen në RTSH Sport HD dhe RTSH 2. Të dy takimet do të luhen në orën 17:00. Sfida mes Dinamo City dhe Teutës, e cila është vendosur që të luhet në “Elbasan Arena”, do të transmetohet për sportdashësit shqiptar në RTSH Sport HD.
Ndërsa ndeshja mes Flamurtarit dhe AF Elbasanit do të transmetohet në po të njëjtën orë, 17:00, në RTSH 2.
Ndryshime do të prekin dy takimet e fundit të javës së dhjetë të Abissnet Superiore, të cilat do të luhen të martën në orën, 16:00 dhe jo në 17:00 siç ishte vendosur pak ditë më parë. Sportdashësit në vend do të kenë mundësi që të ndjekin takimin mes Egnatias dhe Vllaznisë në RTSH Sport HD ndërsa në RTSH 2 do të transmetohet sfida mes Vorës dhe Partizanit.