Drejtoria Kryesore e Inteligjencës (HUR) ukrainase kreu një operacion special në zemër të Rusisë dhe shkatërroi tubacionin kyç të naftës "Kolzhovo" pranë Moskës.
Sipas United24, media ukrainase, është një rrjet 400 kilometrash që furnizonte forcat ruse me benzinë, naftë dhe karburant avionësh.
Siç konfirmoi sot shërbimi i inteligjencës ushtarake ukrainase, të tri linjat e tubacionit të naftës u shkatërruan mbrëmë në shpërthime të njëkohshme, ndërsa vetë sulmi ndodhi në rrethin Ramensky të rajonit të Moskës, duke e bërë të gjithë sistemin të paoperueshëm, transmeton KosovaPress.
Tubacioni i naftës "Koljcovoy" përfaqëson një lidhje kyçe logjistike midis disa rafinerive ruse dhe depove ushtarake. Sipas të dhënave të HUR, sistemi merrte karburant nga rafineritë në Ryazan, Nizhny Novgorod dhe Moskë.
Kapaciteti vjetor i tubacionit ishte deri në 3 milionë ton karburant aviacioni, 2.8 milionë ton naftë dhe 1.6 milionë ton benzinë, gjë që dëshmon për shkallën e goditjes ndaj logjistikës ushtarake ruse.
Shërbimet ruse të emergjencës dhe sigurisë thuhet se mbërritën shpejt në vendngjarje, por dëmtimi i infrastrukturës ishte aq i madh sa u bë i papërdorshëm.
Ky nuk është operacioni i parë i suksesshëm i këtij lloji. Më parë, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) dhe HUR kryen një operacion të fshehtë që shkatërroi një nga sistemet raketore strategjike "Oreshnik" shumë sekrete të Rusisë në vendin e testimit Kapustin Yar.