Seria B në Itali po sheh një luftë të mirëfilltë mes sulmuesish shqiptarë të cilët e kanë nisur me vrull sezonin, duke tundur me rregullsi rrjetën.
Ata që kanë rënë më shumë në sy të opinionit janë padyshim vëllezërit Shpendi, por një tjetër që po shkëlqen në startin e edicionit është Silvio Merkaj.
Sulmuesi i skuadrës së Sudtirol, e ka nisur si titullar sezonin e ri dhe sot ka arritur në kuotën e 4 golave të shënuar, por aq sa kanë shënuar binjakët Shpendi me skuadrat përkatëse.
Në ndeshjen në transfertë ndaj Padovës, ku Merkaj ishte titullar përkrah mbrojtësit të Kombëtares, Frederik Veseli, sulmuesi la shenjën e tij me një goditje të saktë me kokë që mposhti portierin kundërshtar kur regjistrohej minuta e 43-të e ndeshjes, për t’i dhënë avantazhin ekipit.
Merkaj është në sezonin e tij të tretë te Sudtirol, skuadër të cilës iu bashkua pasi shpërtheu në radhët e Entelës në Serinë C. Në atë periudhë, sulmuesin e kërkoi edhe Partizani në Superiore, por futbollisti refuzoi e më pas iu bashkua klubit të Serisë B.