Dëmtimi i të riut të PSG-së, Desire Doue, konfirmon një prirje të viteve të fundit: që nga viti 2020, lojtarët e shpallur MVP në finalen e Champions League po përballen me probleme fizike në sezonin pasues.
Sezoni i PSG-së nuk ka qenë aspak i lehtë, me repartin mjekësor gjithmonë të mbingarkuar, dhe Désiré Doué është lojtari më i fundit që i bashkohet listës së të dëmtuarve, pasi u dëmtua në barazimin ndaj Lorient-it të mërkurën.
Dëmtimi muskulor i lojtarit 20-vjeçar, që do ta mbajë jashtë fushave për disa javë, po komentohet gjerësisht në rrjetet sociale… dhe shoqërohet me një teori konspirative.
Autor i dy golave dhe një asistimi në finalen e Champions League sezonin e kaluar, të cilën PSG-ja e fitoi 5-0 ndaj Interit, Doué u shpall lojtari i ndeshjes. Pikërisht për këtë, sipas shumë përdoruesve të rrjeteve sociale, ai tani po vuan “mallkimin e MVP-ve të finales së Champions League”.
Gjithçka nisi në vitin 2020, kur Kingsley Coman shënoi golin vendimtar për Bayernin kundër PSG-së në “Estádio da Luz”. Ai mori çmimin e lojtarit më të mirë, por sezonin pasues u përball me disa dëmtime muskulore, diçka që e kishte pësuar edhe më herët në karrierë.
Në vitin pasues, N’Golo Kanté u shpall MVP në fitoren e Chelsea-t kundër Manchester City-t në “Estádio do Dragão”. I lavdëruar për vazhdimësinë në paraqitje, ai humbi tre muaj futboll në sezonin 2021/22 për shkak të problemeve në ije dhe gju.
Pastaj erdhën dëmtimet edhe më të rënda.
Thibaut Courtois bëri një paraqitje madhështore në finalen e vitit 2022, ku Real Madridi mundi Liverpoolin. Pasi u shpall MVP, ai pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar të gjurit sezonin pasues dhe mungoi për muaj të tërë.
Fat të ngjashëm pësuan edhe Rodri, lojtari më i mirë i finales së vitit 2023 ku Manchester City mundi Interin, si dhe Dani Carvajal, MVP i finales së vitit 2024 mes Real Madridit dhe Borussia Dortmundit.
Tani, edhe pse dëmtimi i tij nuk është aq i rëndë, duket se i ka ardhur rradha të preket nga “mallkimi i MVP-ve të finales së Champions-it”.