Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, me rastin e përvjetorit të vdekjes së 16 personave si pasojë e shembjes së tendës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, tha se ngjarje të tilla jo vetëm që duhet të mbeten në kujtesë, por duhet të jenë një thirrje për përgjegjësi dhe drejtësi.
"Pikërisht një vit ka kaluar që nga humbja e 16 jetëve në Novi Sad. Mendimet e mia janë me të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre. Ngjarje të tilla jo vetëm që duhet të mbeten në kujtesën tonë, ato duhet të jenë një thirrje për përgjegjësi dhe drejtësi", shkroi Picula në rrjetin social X, raporton KosovaPress.
Picula tha se qytetarët kanë të drejtë për të vërtetën dhe një sistem që është i aftë të parandalojë që një tragjedi e tillë të ndodhë përsëri.
Një mesazh i ngjashëm u dërgua sot nga komisionarja evropiane për Zgjerim Marta Kos, e cila shkroi në rrjetin social X, se tragjedia në Novi Sad “po e ndryshon Serbinë pasi ka mobilizuar qytetarët për të luftuar për vlerat evropiane.”
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi lëshoi sot një deklaratë duke shprehur ngushëllime dhe solidaritet në përvjetorin e tragjedisë, duke thënë se vazhdon të monitorojë nga afër situatën aktuale politike në Serbi.
Kujtojmë, pas tragjedisë në Novi Sad, në të gjitha qytetet e Serbisë shpërthyen protesta gjithë popullore, ndaj të cilave regjimi i Aleksandar Vuçiq përdori dhunë dhe arrestime të shumta, madje dyshohet se përdori edhe top akustik më 15 mars në protestën e madhe në Beograd.