Pavarësisht se ka një mesfushë të mbushur me emra cilësorë, Napoli është i vendosur të përfitojë nga situata e Kobbie Mainoo te Manchester United.
Sipas Daily Star, kampioni italian po planifikon të bëjë gjithçka për të siguruar shërbimet e mesfushorit 20-vjeçar, madje duke ofruar të paguajë të plotë pagën e tij.
Antonio Conte, që duket i rigjallëruar në sezonin e dytë me napolitanët, e ka bërë të qartë se qëndrimi i tij në klub do të varet nga cilësia e përforcimeve.
Pas afrimeve të bujshme si Kevin De Bruyne dhe disa lojtarëve të tjerë me profil të lartë, drejtuesit e Napolit tani janë përqendruar në Mainoon si objektiv prioritar të merkatos së dimrit.
Sipas Daily Star, Napoli ka marrë një qëndrim “radikal” në negociata me Manchester United, duke ofruar të mbulojë 100% të pagës së lojtarit në rast huazimi, një veprim i rrallë për një mesfushor të ri, që tregon vendosmërinë e Contes për ta pasur në skuadër.
Nga ana tjetër, Mainoo e di se duhet të largohet nga “Old Trafford” nëse dëshiron më shumë minuta dhe një vend në skuadrën e Anglisë për Kupën e Botës 2026. Edhe pse trajneri Ruben Amorim ka deklaruar publikisht se beson te i riu anglez, zgjedhjet e tij në formacion nuk e kanë mbështetur këtë qëndrim.
Mainoo ka luajtur shumë pak këtë sezon dhe dëshiron një huazim të përkohshëm për të fituar eksperiencë dhe kohë loje të rregullt. Napoli, në këtë situatë, shihet si destinacioni ideal për të dyja palët..