Në Prizren zyrtarizohet koalicioni PDK-LDK

- Gazeta e Prizrenit

Në Prizren zyrtarizohet koalicioni PDK-LDK

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur arritjen e koalicionit për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar këtë hap si një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e qytetit dhe për një qeverisje më gjithëpërfshirëse.

“Rezultati i rundit të parë të zgjedhjeve tregoi qartë besimin e qytetarëve për të vazhduar edhe një mandat me punë të mira dhe vepra konkrete për Prizrenin,” ka deklaruar Totaj, duke theksuar se mbështetja e treguar në çdo lagje, në qytet dhe në fshat, është dëshmi e rrugës së drejt që është ndjekur gjatë mandatit të parë.

Ai shtoi se puna për Prizrenin nuk ndalet:

“Jemi të vetëdijshëm se ende ka shumë për të bërë. Pikërisht për këtë arsye kemi shpalosur një vizion të ri zhvillimi me projekte të mëdha që e modernizojnë Prizrenin edhe më tej”.

Totaj theksoi se filozofia e tij e qeverisjes është ajo e gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit, pavarësisht bindjeve politike.

“Në jetë kam ndjekur parimin e bashkimit dhe afrimit me qëllim të afirmimit të të mirës publike. Kam punuar me profesionistë të bindjeve të ndryshme politike, por gjithmonë kam ndjekur rrugën e drejtësisë, barazisë dhe respektimit të ligjit.”

Në lidhje me marrëveshjen me LDK-në, Kryetari Totaj u shpreh se ky koalicion është garanci për një qeverisje më efektive:

“Jam i lumtur ta ndaj lajmin e arritjes së koalicionit për bashkëqeverisje me LDK-në. Jam i bindur se idetë e reja dhe përvoja e kësaj force politike do t’i shërbejnë Prizrenit edhe më shumë”.

Në fund, Totaj falënderoi kryetarin e degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, për bashkëpunimin dhe mbështetjen në balotazh.

“Ky është shembull i pjekurisë politike dhe i vendosjes së interesit të qytetarëve mbi interesat partiake. Para Prizrenit dhe qytetarëve të tij, të gjitha interesat e tjera mbesin në plan të dytë”.

“Prizren, urime dhe na priftë e mbara! Rrugëtojmë bashkë +4 për Prizrenin e të gjithëve dhe për të gjithë!” – përfundoi Kryetari Shaqir Totaj.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit