Policia britanike zbulon motivin e sulmit me thikë në tren

- Bota Sot

Policia britanike zbulon motivin e sulmit me thikë në tren

Policia Britanike e Transportit ka përjashtuar terrorizmin si një motiv pas incidentit me thikë në tren të shtunën në mbrëmje, i cili plagosi 11 persona, nëntë prej të cilëve në gjendje kritike.

Hetimet me dy të dyshuarit e arrestuar janë duke vazhduar për të zbuluar motivet e sulmit.

Por, policia thotë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti ishte një sulm terrorist.

"Rreth orës 19:42 pati telefonata në shërbimin policor në lidhje me disa sulme me thikë, të cilat ndodhën në një tren që u nis nga Doncaster dhe ishte në rrugë për në stacionin e Kings Cross në Londër", tha John Loveless i Policisë Britanike të Transportit.

"Oficerët mbërritën menjëherë në stacionin e Huntingdon së bashku me ndihmësit mjekësorë, ku oficerë të armatosur të policisë së Cambridgeshire hipën në tren dhe arrestuan dy persona. Brenda tetë minutash nga thirrja në 999, dy burra u morën në paraburgim, ku mbeten edhe sot në mëngjes."

Të dyshuarit u identifikuan si dy meshkuj, shtetas britanikë të lindur në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët u arrestuan në Huntingdon, ku treni bëri një ndalesë emergjente dhe ku menjëherë ndërhynë policia e armatosur.

"Këta janë, mashkulli i parë, një mashkull 32-vjeçar me kombësi britanike, dhe një burrë 35-vjeçar, me kombësi britanike, me prejardhje nga Karaibet. Të dy u arrestuan me dyshimin për tentativë vrasjeje. Të dy kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar", shtoi Loveless.

Ndryshe, sulmi fillimisht u dyshua si një sulm i mundshëm terrorist.

Njësitë britanike të Policisë Kundër Terrorizmit u përfshinë në hetimet fillestare.

Megjithatë, policia tani thotë se hetimet e mëtejshme kanë përjashtuar terrorizmin si një motiv pas incidentit.

"Policia Britanike e Transportit deklaroi dje se ishte një incident i rëndë dhe Policia Kundër Terrorizmit fillimisht mbështeti hetimin tonë. Megjithatë, në këtë fazë, nuk ka asgjë që të sugjerojë se ky është një incident terrorist", tha Loveless. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot