Mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, është rikthyer në fushë pas dy muajsh mungesë për shkak dëmtimi dhe ka folur pas barazimit pa gola ndaj Comos. Në një prononcim për mediat në zonën “Mixed Zone”, ai u shpreh i kënaqur me faktin që skuadra e tij nuk pësoi gol për të dytën ndeshje radhazi.
“Kjo ndeshje kundër Comos është hera e dytë radhazi që nuk kemi pësuar gol. Nëse nuk mund të fitojmë, është më mirë të mos humbasim. Në fund të fundit, do të thoja se ishte një barazim i mirë”, deklaroi kapiteni i Kosovës.
Rrahmani pranoi se skuadra bëri disa gabime gjatë ndeshjes, por theksoi rëndësinë e mbrojtjes solide: “Kam dy muaj që përpiqem të kthehem në fushë. Sonte ishte e vështirë; bëmë shumë gabime kundër Comos. Detyra ime është të përpiqem të mos e lejoj Napolin të pësojë dhe jam i lumtur.”
Sa i përket vazhdimit të sezonit dhe ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, mbrojtësi theksoi se gjithçka varet nga qëndrimi i skuadrës: “Gjithçka varet nga ne, madje edhe në ndeshjen e Ligës së Kampionëve. Qëndrimi ynë dhe duelet fituese janë çelësi i ndeshjeve. Kundërshtarët ndryshojnë, por ne duhet të jemi gjithmonë të njëjtë.”