Egnatia – Vllaznia do të jetë kryendeshja e javës së 10-të në Superiore, me dy skuadrat që ndeshen për kreun e renditjes së këtij edicioni të kampionatit. Kështu duke vijuar traditën e përballjeve të rëndësishme mes tyre në sezonet e fundit, ku rrogozhinasit dhe shkodranët kanë rivalizuar “ashpër” mes tyre për titujt kampionë.
Ku në të shkuarën ka qenë Egnatia që ka triumfuar në përballjet me kuqeblutë. Të cilët këtë sezon kërkojnë “hakmarrjen” ndaj rivalëve të këtyre viteve e po ashtu të kthehen tek titulli kampion që mungon prej 25 vitesh në Shkodër. E pikërisht diferenca pritet të bëhet në takimet me rivalët direktë gjatë kampionatit. Me Vllazninë që tregoi forcën e saj ndaj Egnatias në fazën e parë, duke triumfuar me shifrat 2-0 ndaj kampionëve në fuqi të vendit.
Por, statistikat e përballjeve të Egnatias me Vllazninë në totalin e tyre flasin në favor të rrogozhinasve. Kështu mes tyre në total ky çift është përballur 23 herë, me Egnatian që ka dyfishin e fitoreve në dëm të kuqebluve. Me rrogozhinasit që numërojnë 10 fitore në përballjet direkte me Vllazninë, ku padyshim spikat fitorja 4-0 e sezonit të shkuar në finalen e kampionatit të edicionit 2024-25.
Ndërkaq Vllaznia ka 5 fitore në total ndaj Egnatias e teksa 8 përballje janë mbyllur ne barazim mes dyshes. Në të gjitha këto takime Egnatia ka shënuar 34 herë në portën e Vllaznisë e kuqeblutë janë “përgjigjur” me vetëm 18 gola në portën e rrogozhinasve. Po ashtu Egnatia konfrimohet një “mace e zezë” për Vllazninë në ndeshjet në Rrogozhinë.
Pasi 9 herë kampionët e vendit tonë kanë vetëm një fitore në të gjitha transfertat e tyre që kanë zhvilluar në fushën e Egnatias. Kështu në Rrogozhinë Vllaznia shënoj vetëm një fitore në datën 28.04.2024 me rezultatin 0-1. Ku në kuadër të javës së 33-të të edicionit 2023- 24, kuqeblutë triumfuan në transfertë falë një goli të Geralb Smajlit.
Kjo mbetet edhe fitorja e vetme e Vllaznisë në Rrogozhinë në të gjitha përballjet mes dy ekipeve. Një “tabu” të cilën Vllaznia do kërkojë t’a thyejë këtë të martë në përballjen e javës së 10-të ndaj Egnatias në transfertë. Ku shkodranët kërkojnë jo vetëm 3 pikët, por edhe për të treguar forcën ndaj një prej rivalëve kryesorë të edicionit.