Roberto Firmino nuk e ka humbur ende shpresën për t’u rikthyer te Brazili, teksa Botërori 2026 po afrohet.
Sulmuesi tridhjetë e katër vjeçar aktualisht luan në Katar, por ka thënë se ende beson se mund ta veshë edhe një herë fanellën e "Selecao".
“Dua të kthehem edhe pse luaj në Katar. Dua sërish ta vesh fanellën e Brazilit. Duhet të vazhdoj të stërvitem dhe të luaj mirë për klubin. Nëse i bëj këto, e di që e kam mundësinë”, ka thënë Firmino.
Ish-ylli i Liverpool u largua nga kampionati i Arabisë Saudite dhe iu bashkua Al-Sadd në Katar. Ai deri tani ka shënuar tre gola dhe një asistim në shtatë ndeshje kampionati, duke tentuar të përshtatet pas dy viteve te Al Ahli, ku fitoi Ligën e Kampionëve të Azisë.
Firmino ka treguar se vazhdon të ketë raporte të shkëlqyera me Sadio Mane dhe Mohamed Salah, të cilët i ka quajtur “yje të mëdhenj”, ndërsa ka thënë se ndjek me interes edhe skuadren aktuale të Liverpool. Për sulmuesit Isak dhe Ekitike është shprehur se kanë potencial për të lënë gjurmë në "Anfield".
Braziliani ka folur edhe për Jurgen Klopp, trajnerin që e kishte drejtuar skuadren gjatë periudhës së tij të artë në Angli. “Klopp ishte trajneri më i mirë që kam pasur ndonjëherë”, ka theksuar ai.