Spalletti ka plan ta integrojë në ekip

- Bota Sot

Spalletti ka plan ta integrojë në ekip

Kur mbërriti në Torino gjatë merkatos së verës, Jonathan David u konsiderua si një nga blerjet më premtuese të Juventusit. Por tre muaj më vonë, sulmuesi kanadez është bërë më shumë objekt ironie për golat e humbur sesa për paraqitjet e tij në fushë. Madje, deri para pak javësh, një largim në janar dukej shumë i mundshëm.

Situata ka ndryshuar me ardhjen e Luciano Spallettit në pankinë, i cili ka vendosur t’i japë më shumë besim. Trajneri italian beson se lojtari mund të rikthehet në formën e tij më të mirë dhe të bëhet një alternativë e vlefshme për fazën sulmuese të skuadrës.

Megjithatë, David nuk do ta ketë aspak të lehtë. Klubi ka vendosur të vazhdojë të mbështetet te Dusan Vlahovic, pavarësisht zërave për largimin e tij gjatë verës. Spalletti e sheh sulmuesin serb si pikën qendrore të sistemit të tij të lojës, siç e tregoi edhe në ndeshjen ndaj Cremoneses, ku ai theksoi rëndësinë e pasimeve në thellësi për numrin 9.

David, nga ana tjetër, pritet të ketë rolin e një alternative të fortë nga stoli, me mundësi për t’u bërë titullar në një rotacion të mirëpërcaktuar. Ndryshe nga Openda, ai nuk ka të njëjtën fleksibilitet për të luajtur edhe si trekuartist, dhe në rast të një skeme me dy sulmues, do të ishte në konkurrencë direkte me Vlahovicin.

Ndërkohë, për Vlahovicin po flitet madje edhe për një rinovim kontrate. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, pavarësisht interesimit nga disa klube angleze, serbi preferon të qëndrojë te Juventus. Klubi, nga ana tjetër, po mendon t’i ofrojë një marrëveshje të re për të mos e humbur me parametra zero.

Gjithçka do të varet nga rezultatet në muajt e ardhshëm, por një gjë është e sigurt: Spalletti dëshiron ta ndërtojë projektin e tij ofensiv rreth Vlahovicit, pa e përjashtuar mundësinë që edhe Jonathan David të kthehet në një armë të vlefshme për Juventusin.



Lexoni të gjitha në Bota Sot