Trajneri i Struga Trim Lum, Bledi Shkëmbi, ka folur për debutuesin Florian Roçi, që morri besimin e tij që nga minuta e parë në ndeshjen e sotme kundër Makedonija GJ,P, e vlefshme për javën e 12-të në elitën e futbollit maqedonas.
18-vjeçari strugan, luajti deri në minutën e 62-të, ndërsa brenda këtyre minutave, përveç që bëri mirë në pozicionin e vendosur nga trajneri, ai në minutën e 33-të arriti madje edhe të shënojë gol në rrjetën e Jankov.
“Floriani është një lojtar me te ardhme. Sot i dhamë mundësinë për të luajtur dhe patjetër që si ndeshje e parë për të, jemi të kënaqur se si u paraqit! Mirëpo pavarësisht kësaj, ai ka një rrugë të gjatë para dhe i duhet shumë, shumë punë që të arrijë sa më lartë” – ishin këto fjalët e Bledi Shkëmbit, që thuajse deri në këto momente ka provuar pjesën më të madhe të futbollistëve që ka në disponim te Struga Trim Lum.
Strategu nga Korça po bënë shumë mirë te skuadra strugane, teksa i njëjti në 13 ndeshje zyrtare, ka regjistruar 10 fitore (përfshirë këtu edhe fitoren ndaj Makedonija GJ.P në kuadër të Kupës), 2 barazime dhe vetëm një disfatë.
Aktualisht, Struga Trim Lum me 29 pikë po udhëheq renditjen në Ligën e Parë, para Vardarit, që nesër do të luaj në transfertën e vështirë në Manastir kundër Pelisterit.