Spanja i jep shtetësinë pasardhësve të Brigadave Ndërkombëtare, në nder të luftës kundër fashizmit

- Bota Sot

Spanja i jep shtetësinë pasardhësve të Brigadave Ndërkombëtare, në nder të luftës kundër fashizmit

Qeveria spanjolle ka dhënë shtetësinë për 170 pasardhës të vullnetarëve të Brigadave Ndërkombëtare, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në luftën kundër fashizmit gjatë Luftës Civile Spanjolle dhe diktaturës së mëvonshme të Francisco Franco-s.

Në një ceremoni solemne në Madrid, kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se “është nder t’i quajmë bashkëqytetarë këta njerëz që trashëgojnë guximin e atyre që mbrojtën demokracinë në një kohë kur ajo ishte në rrezik”, raporton The Guardian.

Rreth 32 mijë vullnetarë nga e gjithë bota iu bashkuan Brigadave Ndërkombëtare mes viteve 1936-1939, përfshirë 2 mijë e 500 burra e gra nga Britania dhe Irlanda, prej të cilëve 530 humbën jetën në betejë.

Një nga përfituesit e rinj të shtetësisë është Peter Crome, profesor, i dalë në pension dhe djali i mjekut Len Crome, që shërbeu në Brigadat Ndërkombëtare në Jarama dhe në Betejën e Ebro-s.

“Ai ishte i shqetësuar për rritjen e fashizmit dhe antisemitizmit, këto ishin arsyet që e çuan në Spanjë”, tha Peter për The Guardian.

Len Crome, i lindur në Letoni, u shpërblye më vonë me “Military Cross” për guxim gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas të birit, përvoja në Spanjë dhe përjashtimi nga ushtria britanike për shkak të origjinës e shtynë atë drejt Partisë Komuniste.

Kryetari i International Brigade Memorial Trust, Jim Jump, e përshkroi vendimin e qeverisë si “një hap të qartë për të zhdukur trashëgiminë toksike të diktaturës së Franco-s”.

Ky akt simbolik vjen në prag të 50-vjetorit të vdekjes së Francisco Franco-s, ndërsa qeveria spanjolle po ndërmerr gjithashtu hapa për të shpërbërë Fondacionin Nacional Francisco Franco, i cili akuzohet për “lavdërim të fashizmit” dhe “fyerje të viktimave të regjimit”.

Në të njëjtën ceremoni, Spanja njohu edhe 18 viktima të diktaturës, përfshirë poetin Federico García Lorca, të ekzekutuar në vitin 1936, dhe regjisorin Luis Buñuel, i cili u detyrua të jetonte në mërgim.

“Mendojmë jo vetëm për Federicon, por për dhjetëra mijëra gra e burra që humbën jetën, lirinë dhe zërin e tyre”, deklaroi Laura García Lorca, mbesa e poetit.

Ndër të nderuarit ishin gjithashtu Margot Moles Piña, një pioniere e sportit për gra në Spanjë, dhe Antonio Menchén Bartolomé, sindikalist i njohur. María Luisa Ramos Barril, 98 vjeç, e mbijetuar e kampit të përqendrimit Mauthausen, mori pjesë personalisht në ceremoni.

Ky vendim historik, shihet si një përpjekje e re e Spanjës për të mbyllur një kapitull të errët të së kaluarës dhe për të nderuar ata që sakrifikuan gjithçka në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot