Gjendja shëndetësore e zyrtarit të Bashkimit Evropian, i cili u sulmua mbrëmjen e së martës në Gjakovë me një mjet të mprehtë (thikë) po vazhdon të jetë stabile.
Ai po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lajmin për gjendjen e tij e ka konfirmuar për Klankosova.tv drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci.
Zyrtari nga Bullgaria u godit me thikë nga një person me të cilin po udhëtonte në të njëjtin automjet, dhe kishte pësuar dy plagë nga sulmi.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë reagoi duke thënë se është e tronditur nga ngjarja dhe i ka uruar zyrtarit të lënduar shërim të shpejtë.
Zëdhënësi i Zyrës, Nikola Gaon, tha se rasti është në hetim dhe për momentin nuk mund të jepen më shumë detaje, meqë procedurat janë në zhvillim.
“Një hetim është duke u zhvilluar dhe autoritetet po përcaktojnë faktet. Meqenëse ky është një hetim aktiv, nuk jemi në gjendje të japim detaje të mëtejshme në këtë kohë”.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ka marrë në trajtim këtë rast.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, bëri të ditur se hetimet po kryhen në koordinim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të plota të sulmit.
“Prokuroria Speciale ju njofton se nga momenti kur e ka pranuar rastin në trajtim, ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike. Duke theksuar se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Luta.