Barcelona pëson sërish tre gola dhe trajneri Hansi Flick nuk i fsheh shqetësimet e tij. Pas barazimit 3-3 ndaj Club Brugge, tekniku gjerman analizoi paraqitjen e katalanasve për Movistar, duke vënë theksin te mungesa e intensitetit dhe problemet në fazën mbrojtëse.
“Nuk është çështje vetëm e vijës së fundit,” u shpreh Flick. “Duhet të jemi më të kujdesshëm edhe në mesfushë, ku humbëm shumë duele.
Kur kundërshtari luan me një ose dy prekje, duhet të reagosh më shpejt. Nuk është e lehtë, por duhet të përmirësohemi. Krijuam shumë, por ata ishin agresivë dhe bënë një ndeshje të shkëlqyer.”
Në konferencën për shtyp, trajneri e përsëriti idenë se problemi nis nga presingu i dobët: “Nëse nuk shtyp mirë dhe nuk fiton duelet, e vendos mbrojtjen në vështirësi. Duhet të analizojmë, të bisedojmë me lojtarët dhe të punojmë për këtë. Nuk do të heqim dorë nga filozofia jonë: mund të mbrohemi më mirë duke mbetur besnikë ndaj stilit tonë. Në Champions, pa intensitet, nuk shkon askund.”
Megjithatë, Flick pa edhe anën pozitive: “E rimorëm ndeshjen tre herë.
Nuk është rezultati që donim, por reagimi ishte i mirë. Kam besim se pas pushimit, me rikthimin e Pedrit, Raphinhës, Olmos, Lewandowskit dhe Joan Garcías, do të jemi më të fortë.”
Së fundi, ai vlerësoi sërish Lamine Yamal, protagonistin e ri të skuadrës: “Ishte fantastik, por duhet të qëndrojmë të fokusuar te grupi. Është e rëndësishme që ai të menaxhojë mirë këtë moment. Ne jemi Barcelona: forca jonë duhet të jetë kolektivi.”.