Klisman Cake i Shkëndijës së Tetovës sërish merr ftesë nga kombëtarja shqiptare, derisa nga Maqedonia e Veriut sërish thirret Reshat Ramadani. Meliqi (U21) dhe Ceka (U19) grumbullohen nga shpresat e Maqedonisë.
“Periudha e nëntorit vjen me lajme të mira për skuadrën tonë, pasi katër futbollistë të Shkëndijës janë ftuar nga ekipet kombëtare për ndeshjet ndërkombëtare që do të zhvillohen gjatë pushimit të kampionateve.
Klisman Cake për të dytën herë me Kombëtaren e Shqipërisë
Pas debutimit të tij të suksesshëm muajin e kaluar, Klisman Cake sërish është ftuar nga përzgjedhësi Silvinho për dy ndeshjet e nëntorit, më 13 nëntor ndaj Andorrës dhe më 16 nëntor ndaj Anglisë. Një tjetër mundësi për mbrojtësin tonë të vazhdojë rrugëtimin e tij me fanellën kuqezi në nivel ndërkombëtar.
Reshat Ramadani në listën e Maqedonisë së Veriut
Mesfushori Reshat Ramadani ka marrë ftesë nga seleksionuesi Blagoja Milevski për ndeshjet që Maqedonia e Veriut do të zhvillojë ndaj Letonisë (13 nëntor, Shkup) dhe Uellsit (18 nëntor, Cardiff).
Anes Meliqi sërish pjesë e përfaqësueses U21
Seleksionuesi Goran Staniq ka përfshirë në listën e Maqedonisë U21 mbrojtësin e Shkëndijës Anes Meliqi, për ndeshjet kualifikuese ndaj Suedisë dhe Polonisë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian 2027.
Në përfaqësuesen U19 të Maqedonisë është ftuar Nazif Ceka, që do të jetë pjesë e ekipit në UEFA U19
Kualifikimet që zhvillohen në Portugali nga 12 deri më 18 nëntor. Interesant është fakti se përzgjedhës i kësaj gjenerate është Erhan Selimi, drejtori i shkollës së futbollit të Shkëndijës”, thuhet nga Shkëndija.