Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda e ka mendjen te dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Sllovenisë, më 15 nëntor dhe Zvicrës, më 18 nëntor.
Dardanët grumbullohen, të hënën, më 10 nëntor, kur edhe do të mbahet stërvitja e parë në Kampin Nacional në Hajvali në orën 17:00, kurse paraprakisht në të njëjtën ditë, në orën 12:00, në hotel ‘Emerald’ përzgjedhësi Foda do të paraqitet në konferencë për media.
Ndeshjen e parë Dardanët e zhvillojnë në Lubjanë kundër Sllovenisë, kurse më pas në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ përballen me Zvicrën.
Aktualisht Kosova renditet në pozitën e dytë në Grupin B, me 7 pikë, derisa Zvicra kryeson me 10 pikë. Dardanëve u mjafton një pikë ndaj Sllovenisë për ta siguruar ‘play-off’-in, por në rastin më të mirë mund edhe të kualifikohen direkt në Botërorin 2026.