Presidenti francez Emmanuel Macron përsëriti të premten gjatë vizitës së tij në Meksikë se Xhevahiret e Kurorës të vjedhura nga muzeu i Luvrit do të gjenden dhe u zotua të rishikojë sigurinë e muzeut në Paris.
“Kemi filluar të arrestojmë një pjesë të bandës që kreu këtë vjedhje. Xhevahiret do të gjenden, autorët do të arrestohen dhe do të gjykohen”, u zotua kreu i shtetit francez në deklaratat që bëri për rrjetin televiziv Televisa gjatë turneut në Amerikën Latine.
“Është një mundësi për të dalë edhe më i fortë nga ajo që ndodhi dhe ishte një tronditje për të gjithë botën”, tha Macron.
Më 19 tetor, kriminelët arritën të hynin në muzeun e Luvrit dhe të vidhnin disa bizhuteri të çmuara me vlerë 88 milionë euro. Bizhuteritë nuk janë rikuperuar ende. Ndërkohë janë ngritur akuza kundër katër të dyshuarve, të cilët janë lënë në paraburgim.