Rekordet e Spaletit

- Bota Sot

Rekordet e Spaletit

Luçiano Spaleti vazhdon të shkruajë faqe të rëndësishme në historinë e futbollit italian.

Trajneri i Juventusit, në moshën 66 vjeç e 246 ditë, u bë tekniku më i moshuar që drejton derbin e tij të parë kundër Torinos me “Zonjën e Vjetër” në Serinë A.

Për më tepër, Spaleti është i dyti trajner që nga sezoni 1994-95 që ka drejtuar të tria derbit e mëdha të Italisë, atë të Milanos, Romës dhe Torinos – pas Klaudio Ranierit.

Por rekordet nuk ndalen këtu. Me ndeshjen e fundit, tekniku toskan ka regjistruar edhe një tjetër arritje madhore teksa ka prekur kuotën e 1000 pikëve në Serinë A, duke u bërë trajneri i pestë në histori që e arrin këtë shifër, pas legjendave Xhovani Trapatoni, Nereo Roko, Nils Liedholm dhe Masimiliano Allegri (duke llogaritur gjithmonë tre pikë për fitore dhe ndeshjet e fituara në tavolinë).

Një tjetër dëshmi e karrierës së jashtëzakonshme të Spalettit, që vazhdon të mbetet një prej mendjeve më të ndritura në futbollin italian.



Lexoni të gjitha në Bota Sot