Pas gjashtë muajsh mungesë në terrenin e gjelbër, Klubi i Futbollit “Gostivari” është rikthyer sërish në skenën futbollit.
Aktualisht, ekipi garon në Ligën e Katërt Rajonale të futbollit vendor, ndërsa në radhët e tij janë bashkuar shumë prej veteranëve të njohur të futbollit gostivaras.
Trajneri i ekipit, Nasir Demiri, thekson se ky rikthim po i sjell qytetit dhe klubit ndjenjën e krenarisë dhe se synimi kryesor është ngjitja e shpejtë në ligat e larta.
“Kemi marrë mbështetje nga pushteti lokal dhe jemi të vendosur që për një kohë të shkurtër ‘Gostivari’ të kthehet aty ku e ka vendin”, thotë ai. Sipas tij, qëllimi është që menjëherë pas këtij sezoni të ngjiten një ligë më lartë. “Kërkojmë gjithashtu përkrahjen e dashamirëve të futbollit dhe biznesmenëve të qytetit”, deklaroi Demiri.
Njëri nga futbollistët që i është rikthyer fushës pas disa vitesh është Afet Ibrahimi, ish-lojtar i njohur i klubit. Ai thotë se rikthimi i tij ka një mision të vetëm – kthimin e “Gostivarit” në Ligën e Parë.
“Rikthimi në Ligën e Parë dhe nuk do të zgjasë më shumë se dy vite”, thekson Ibrahimi.
Klubi tashmë ka zhvilluar disa ndeshje, duke arritur rezultate të mira dhe premtuese për realizimin e objektivave të tij afatshkurtra dhe afatgjata. Si garues në ligën komunale,
“Gostivari” mbanë vendin e parë në tabelë me dhjetë pikë të grumbulluara.
Ky klub nuk është ai që më 3 maj të këtij viti u tërhoq nga Liga e Parë, e i cili kishte sponsorë turq, të cilët më pas u larguan papritur nga Gostivari dhe nga Maqedonia, pa dhënë asnjë sqarim publik.
Por, është klubi më i vjetër i qytetit i cili rikthehet pas plotë 16 viteve.
Kujtojmë se vendimi i ish-udhëheqësisë së klubit me sponsor nga Turqia, erdhi pas publikimit të dënimeve të rënda nga Komisioni i Disiplinës së Federatës së Futbollit të Maqedonisë.