Conte ndez alarmanin: Jam i shqetësuar, këtë vit ka një energji ndryshe

- Bota Sot

Conte ndez alarmanin: Jam i shqetësuar, këtë vit ka një energji ndryshe

Antonio Conte nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes 2-0 të Napolit në fushën e Bologna-s, një tjetër goditje për skuadrën që kishte hyrë në sezon me ambicie të mëdha.

Trajneri i Napolit foli qartë dhe pa dorashka për gjendjen aktuale të ekipit:

“Bologna pati më shumë energji në çdo aspekt.

Ajo që më zhgënjen më shumë është pikërisht kjo: ata kishin më shumë dëshirë dhe entuziazëm.

Këtë e kemi vërejtur edhe më parë bashkë me djemtë.

Ata luajtën edhe të enjten, ndërsa ne bëmë vetëm detyrën tonë derisa ndeshja ishte në ekuilibër, por më pas u shkrimë. Kjo më vjen keq. Duhet të kemi një energji ndryshe,” tha Conte për DAZN.

Në analizën e tij, trajneri foli edhe për paraqitjen individuale të disa lojtarëve, duke përmendur Rasmus Hojlund-in:

“Nuk më zhgënjeu, përkundrazi, ndoshta ishte më i miri në fushë. Lucumì pati shumë vështirësi me të. Ne kishim përgatitur disa situata, duhej ta mbështesnim më shumë, por nuk ia dolëm. E përsëris, ai bëri një ndeshje të mirë.”

Megjithatë, rezultatet e fundit janë alarmuese. Napoli ka pësuar tashmë pesë humbje këtë sezon, tri prej tyre në kampionat. Conte pranoi se situata është serioze:

“Jam i shqetësuar, nuk ka shumë për të shtuar.

Nëse një skuadër që konsiderohet pretendente humb pesë ndeshje, do të thotë se diçka nuk po funksionon siç duhet.

Nuk duhet të harrojmë se pas një titulli kampion përfunduam të dhjetët, kjo nuk na shërbeu si mësim.

Shpesh mendohet se nga një ditë në tjetrën rosaku i shëmtuar bëhet mjellmë, por jeta nuk është përrallë.

Vitin e kaluar bëmë diçka të jashtëzakonshme, por tani duhet të pyesim veten nëse po punojmë me të njëjtin entuziazëm dhe me të njëjtën dëshirë për hakmarrje. Është e qartë që energjia ka ndryshuar.”

Conte nuk u fsheh as pas përgjegjësive:

“Lojtarët e dinë shumë mirë si mendoj. Më vjen keq që nuk po arrij të ndryshoj këtë energji. Ndoshta nuk po bëj një punë të mirë, ose ndoshta dikush nuk dëshiron të dëgjojë.”

Në konferencën për shtyp, trajneri italian foli edhe për aspektet jashtë fushës:

“Kur flas për energji, flas për zemër, pasion, entuziazëm, dëshirë, janë dinamika që shkojnë përtej taktikës. Vitin e kaluar patëm një shpirt skuadre që na çoi drejt një sezoni të jashtëzakonshëm.

Këtë vit, po vuajmë sepse nuk po sillemi si një grup i bashkuar.

Marr përsipër të gjithë përgjegjësinë, por edhe për një trajner bëhet e vështirë nëse nuk mund të ndryshojë këtë gjendje. Nuk mund të bësh transplant zemre, ose e ke shpirtin, ose jo.

Secili prej nesh duhet të gjejë sërish urinë, forcën, dëshirën për të luftuar. Unë nuk dua të udhëheq një skuadër të vdekur. Të bësh detyrën është një gjë, por të luash për një klub me pritshmëri të larta është krejt tjetër.

Shumë po mendojnë vetëm për interesin e tyre dhe kjo më shqetëson. Do të flas hapur me klubin për këtë, sepse futbolli luhet me zemër, nëse ajo mungon, gjithçka tjetër është e kotë.”



Lexoni të gjitha në Bota Sot