Kurti falënderon qytetarët pas balotazhit: Mbajeni përgjegjës secilin kryetar për premtimet e dhëna

- Gazeta e Prizrenit

Kurti falënderon qytetarët pas balotazhit: Mbajeni përgjegjës secilin kryetar për premtimet e dhëna

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në balotazhin e mbajtur dje, duke e cilësuar atë si dëshmi të pjekurisë demokratike dhe përkushtimit qytetar ndaj zhvillimit të vendit.

Në një postim në rrjete sociale, Kurti ka thënë se me daljen në votime, qytetarët i kanë kontribuar demokracisë dhe orientimit të politikave publike në komunat e tyre.

Ai ka ftuar qytetarët që tash e tutje t’i mbajnë përgjegjës kryetarët për premtimet e dhëna dhe për gjendjen në qytete e fshatra.

Duke iu drejtuar aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka theksuar se subjekti i tij do të qeverisë në shtatë komuna të Republikës – më shumë se kurrë më parë – dhe se “as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve” nuk arriti ta ndalë rritjen e Lëvizjes.

“Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore”, ka përfunduar Kurti në mesazhin e tij.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit