Bayern Munich po përgatit një ofertë të madhe për të siguruar që Dayot Upamecano të vazhdojë të jetë pjesë e klubit edhe për shumë vite.
Kontrata aktuale e mbrojtësit francez me bavarezët skadon në verën e vitit 2026, por drejtuesit e klubit duan ta blindojnë lojtarin për një periudhë më të gjatë, pavarësisht interesimit të madh që po vjen nga Real Madridi dhe Paris Saint-Germain.
Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, Bayern po përgatit një ofertë të re pesëvjeçare që do ta mbajë Upamecanon në “Allianz Arena” deri në vitin 2031, me një pagë vjetore rreth 20 milionë euro.
Në total, oferta do të arrijë në rreth 100 milionë euro, çka do ta vendoste francezin ndër më të paguarit e skuadrës, në nivel me Joshua Kimmich dhe Manuel Neuer.
Nuk dihet ende nëse Bayern do të pranojë edhe kërkesën e kampit të lojtarit për një bonus nënshkrimi prej 17-20 milionë eurosh, por burimet theksojnë se bisedimet po ecin në mënyrë shumë pozitive.
Klubi gjerman po shpreson gjithashtu në “efektin Kompany”, pasi nën drejtimin e trajnerit belg, Upamecano ka treguar një rritje të dukshme në paraqitjet e tij.
Deri më tani nuk ka marrëveshje përfundimtare, por të gjitha sinjalet tregojnë se Bayern Munich është e vendosur të mbajë Upamecanon si një shtyllë të mbrojtjes për afat të gjatë.