Kombëtarja e Shqipërisë i ka nisur sot në Barcelonë përgatitjet për dy ndeshjet e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, ndaj Andorrës dhe Anglisë.
Federata Shqiptare e Futbollit bëri me dije që në seancën e parë stërvitore kanë arritur shumica e lojtarëve, teksa një pjesë do t’u bashkohet më vonë.
“Në seancën hapëse stërvitore u stërvitën pjesa më e madhe e lojtarëve që kanë mbërritur, ndërkohë që sonte pritet që grupi të plotësohet me ardhjen e Thomas Strakoshës, Nedim Bajramit dhe Mirlind Daku”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
FSHF-ja bën me dije se grupi i lojtarëve u stërvit fillimisht në palestër dhe më pas zbriti në fushë për ushtrime të ndryshme taktike.
Berat Gjimshiti dhe Arbër Hoxha u stërvitën vetëm në palestër, me fokus rikuperimin, duke qenë se kanë luajtur me klubet e tyre dje.
Kombëtarja do të vijojë përgatitjet në Spanjë përpara se të niset drejt Andorrës për ndeshjen e datës 13 nëntor.
Shqipëria momentalisht është e dyta në Grupin K të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2026, duke grumbulluar 11 pikë nga gjashtë ndeshje. Anglia është e para me 18 pikë, teksa Serbia zë vendin e tretë me 10 pikë.
Me fitore ndaj Andorrës, Shqipëria i ngrit gjasat për të siguruar vendin e dytë, atë të play-offit.