Një nga emrat që vazhdon të mbetet jashtë listës së Kombëtares shqiptare, pa marrë kurrë ftesë nga trajneri Silvinjo edhe pse po luan rregullisht, është Arda Kurtulan.
Futbollisti i cili ishte një emër i rregullt në radhët e përfaqësueses Shpresa, nuk ka marrë kurrë ftesë nga Silvinjo, ndonëse në dy vitet e fundit ka luajtur titullar fiks në Superligën turke dhe vazhdon të lërë shenjë me skuadrën e Goztepe, një prej surprizave të këtij edicioni në Turqi.
Në fitoren 2-0 ndaj Kasimpasha në fundjavë, ai ishte një nga më të mirët në fushë dhe jo rastësisht është zgjedhur për paraqitjen e tij në formacionin ideal të javës në Superligën turke nga “SofaScore”. Një zgjedhje që nuk vjen nga vendimet e një eksperti, por thjesht nga statistikat e regjistruara nga lojtari gjatë sfidës, nga përzgjidhet më pas formacioni ideal.
Kësisoj, Kurtulan mori notën 8 për paraqitjen e tij dhe u rreshtua përkrah emrave si Asensio e Fred në formacionin ideal të javës së 12 të kampionatit turk.