E papritur: Lewandowski po e konsideron pensionimin pas aventurës me Barçën

- Bota Sot

E papritur: Lewandowski po e konsideron pensionimin pas aventurës me Barçën

Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, nuk përjashton më mundësinë e pensionimit verën e ardhshme, për shkak të pasigurisë mbi të ardhmen e tij. Sulmuesi polak deklaroi së fundmi se nuk po mendon ende për sezonin e ardhshëm, por do ta marrë vendimin duke u bazuar tek ndjenja e tij në fund të këtij sezoni.

Sipas raporteve nga Katalonja, duket se Barcelona nuk ka ndërmend t’i ofrojë Lewandowskit një kontratë të re pas përfundimit të marrëveshjes aktuale këtë sezon. 37-vjeçari tregoi edhe një herë klasën e tij të jashtëzakonshme të dielën në mbrëmje, me një hat-trick në fitoren 4-2 ndaj Celta Vigo, por klubi duket i fokusuar tek e ardhmja.

Sipas Sport, Lewandowski mendon se ende ka shumë për të dhënë dhe mund të jetë i dobishëm për Barcelonën edhe një sezon tjetër. Ndërsa këtë sezon ai lufton për vendin e titullarit, sulmuesi është i gatshëm të pranojë më pak minuta dhe një rol nga stoli sezonin e ardhshëm për të qëndruar te klubi, nëse ata sjellin një opsion më të mirë.

Shumë lojtarë në këtë fazë të karrierës zakonisht transferohen në Major League Soccer ose Arabinë Saudite, ku kërkesat janë më të ulëta dhe pagesat më të larta. Sidomos një kalim në Lindjen e Mesme është përfolur disa herë, por sipas gazetës katalanase, kjo ide nuk e tërheq Lewandowskin. Familja e tij është e vendosur në Barcelonë, ku kanë ndërtuar shtëpinë e tyre në Castelldelfels, dhe ai nuk dëshiron t’i zhvendosë pa një alternativë serioze.

Prandaj, nëse Barcelona vendos të ecë përpara pa Lewandowskin, për herë të parë në karrierën e tij, pensionimi mund të konsiderohet si një mundësi serioze. Një tjetër opsion në Europë do ta tërhiqte vetëm nëse do t’i jepte mundësinë të konkurronte në nivel të lartë pa e zhvendosur familjen. Interesimi i raportuar nga Atletico Madrid mund të përputhet me kërkesat e tij për një lëvizje brenda Europës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot