Do të bëhet apo nuk do të bëhet? Kjo është dilema që ka mbetur e shtruar për vite me radhë sa i përket ndërtimi të stadiumit të ri në të cilin do t’i zhvillonte ndeshjet Kombëtarja e Kosovës në futboll por edhe do të organizoheshin e zhvilloheshin ngjarje të tjera të rëndësishme sportive vendore e ndërkombëtare.
Ndërtimi i stadiumit të ri ishte zotuar para Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare kur Kosova e fitoi të drejtën e organizimit të tyre në vitin 2030, por megjithëse që nga atëherë kanë kaluar gati tre vite, ende nuk është ndërmarr asnjë hap konkret, madje muajve të fundit, Hajrulla Çeku, tashmë ministër në detyre i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, deklaroi se do të bëhet një vlerësim nëse duhet të ndërtohet stadiumi apo kjo për momentin nuk është e nevojshme.
Por, tashmë duket se situata ka ndryshuar. Së fundi në Kosovë qëndroi një delegacion ndërkombëtar i cili inspektoi infrastrukturën ekzistuese sportive në Kosovë dhe nga vizita e tyre do të dalin edhe rekomandime se çfarë duhet të ndërtohet.
Pas takimit të këtij delegacioni me përfaqësues nga Kosova të Komitetit Olimpik të Kosovës, Komunës së Prishtinës si dhe Ministrisë së Sportit, u tha se ndërtimi i stadiumit të ri nuk ka alternative dhe se ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare 2030 do të bëhet në stadiumin e ri.
Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, tha për KosovaPress se ndërtimi i stadiumit nuk duhet as që të diskutohet pasi ai do të ndërtohet.
Aliti: Stadiumin e kemi premtuar dhe duhet ta ndërtojmë
"Ne kur kemi aplikuar për Lojërat Mesdhetare i kemi premtuar diçka komunitetit ndërkombëtar, kemi premtuar që do ta bëjmë stadiumin kombëtar. Nuk do të thotë që ceremonia nuk mund të mbahet pa stadiumin kombëtar sepse edhe mund të improvizosh, në fund të ditën ne në Sunny Hill i kemi 30 mijë shikues por nuk është qëllimi kjo, qëllimi është që Kosova ka nevojë për stadium kombëtar, kemi një kombëtare të futbollit fantastike e cila po ma befason çdo ditë për të cilën tashmë biletat do të shiten 5 muaj përpara për ndeshjen me Zvicrën si shembull. Kosova ka nevojë për stadium kombëtar i cili ofron komoditet, qasje të lehtë, i cili ofron që qytetarët bashkë me familjet e tyre të jenë në stadiume dhe vikendet ti kalojnë në stadiume jo vetëm për Kombëtaren e Kosovës por edhe për klubet lokale...Kosova patjetër që ka nevojë për stadium kombëtar dhe kjo nuk është e diskutueshme fare dhe mendoj që insinuatave se na duhet apo nuk na duhet stadiumi kombëtar, ne me këmbëngulje do të kërkojmë që Kosova të ketë stadium kombëtar", thotë Aliti.
Edhe drejtori ekzekutiv në Agjencinë për Sport të MKRS-së, Fidan Shatri, konfirmoi se ndërtimi i stadiumit të ri është pjesë e pandashme e planit për “Prishtina 2030” dhe mbetet prioritet kombëtar.
Shatri: Zotimi për stadiumin nuk është tërhequr, ai do të bëhet
"Ceremonia e hapjes dhe ceremonia e mbylljes do të bëhen në stadiumin e ri. Asnjëherë nuk është ndalur puna për infrastrukturën sportive në përgjithësi dhe për stadiumin e ri i cili do të jetë do të jetë i gatshëm për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 pasi që njëkohësisht në këtë fazë ku jemi duke punuar maksimalisht në hartimin e masterplanit për Qendrën e Studentëve dhe për Pallatin e Rinisë, dy këto institucione të cila do të hyjnë në funksion të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 por patjetër që hapja dhe mbyllja është paraparë edhe në librin e kandidaturës që do të jetë në stadium të ri, diçka që është garantuar dhe nuk është tërhequr mbrapa", thekson Shatri.
Nga ana tjetër, shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Vllaznim Osmani, u shpreh optimist për realizimin e projektit, duke theksuar se institucionet kanë ende kohë për ta finalizuar objektin para Lojërave Mesdhetare.
Osmani: Jam optimist se stadiumi kombëtar do të ndërtohet
"Unë jam shumë optimist që stadiumi kombëtar deri atëherë do të jetë i gatshëm. Mandej unë mendoj që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të ndryshme si lokale dhe qendrore mirëpo edhe akterët tjerë relevant që janë pjesë e lojërave veçse duhet në një rrugë të mbarë. Unë mendoj që është humbur shumë kohë e vlefshme për të arritur qëllimin për të qenë të gatshëm për Lojërat Mesdhetare mirëpo ende ka kohë", theksoi Osmani.
Përfaqësuesi i kompanisë RCAG, e cila është përgjegjëse për hartimin e planit për organizimin e Lojërave Mesdhetare, Rob Clarke, theksoi se çështja e stadiumit është një nga pikat më të ndjeshme dhe me ndikim të gjerë në procesin e organizimit të Lojërave.
Clark: Vendimi për stadiumin është tejet i rëndësishëm
"Sot nuk kam një përgjigje për ju, por kjo është pa dyshim një nga temat për të cilat kemi folur. Në javët dhe muajt në vijim, do të duhet të japim rekomandime për komitetin organizues, sepse ky është një vendim shumë i rëndësishëm jo vetëm për lojërat, por edhe për shtetin, përtej lojërave", theksoi Clark.
Përveç stadiumit, në funksion të organizmit të Lojërave Mesdhetare, pritet që të ndërtohen e rinovohen edhe shumë palestra sportive, pishina olimpike e fasilitete të tjera sportive.