Lutfi Haziri denoncohet në polici nga ish-kunata dhe nipi, ndaj tij hidhen akuza të rënda

- Bota Sot

Lutfi Haziri denoncohet në polici nga ish-kunata dhe nipi, ndaj tij hidhen akuza të rënda

Ish-kunata e Lutfi Hazirit, pra ish-bashkëshortja e vëllait të tij, e ka bërë një denoncim në polici ku e ka përmendur edhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, shkruan Insajderi.

Sipas deklaratave të Ardita Hasanit, ajo ka qenë e martuar me vëllain e Lutfi Hazirit për 27 vite.

Në muajin qershor, ai kishte pasë një problem shëndetësor, por pavarësisht kësaj, çifti kishte vazhduar bashkëjetesën.

Sipas saj, situata ka ndryshuar në muajin shtator, kur ajo është kthyer në shtëpi dhe bashkëshorti i saj i ka thënë se nuk ka më të drejtë të qëndrojë aty, madje as të afrohet më pak se 600 metra nga shtëpia dhe se në gjykatë kishte deponuar dosjen për shkurorzim.

Ajo para policisë ka deklaruar se disa ditë pas kësaj ngjarjeje, një zyrtar i gjykatës e ka kontaktuar për ta njoftuar se duhet të paraqitej për të pranuar aktgjykimin e divorcit. Pas kësaj, Hasani thotë se i është drejtuar policisë, duke pretenduar se në këtë proces janë bërë disa shkelje, shkruan Insajderi.

Ajo ka deklaruar se asnjëherë nuk ka pranuar ftesë nga gjykata për të marrë pjesë në seancën gjyqësore. Sipas saj, dikush tjetër ka pranuar ftesën dhe ka falsifikuar nënshkrimin e saj, në mënyrë që të dëshmohej pranimi i saj. Për rrjedhojë, ajo nuk ka qenë e informuar se seanca do të mbahej dhe nuk ka marrë pjesë në të. Mbi të gjitha, Hasani pretendon se procedura e divorcit është zhvilluar shumë më shpejt se sa e lejon ligji.

Cili është roli i Lutfi Hazirit në këtë histori?

Edhe pse formalisht nuk është palë në konfliktin mes çiftit të divorcuar, emri i Lutfi Hazirit përmendet në denoncimet e bëra nga ish-kunata e tij dhe nga nipi, djali i çiftit.

Të dy kanë deklaruar se dyshojnë se Haziri ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në çështjen e divorcit, me qëllim që nëse vëllai i tij ndërron jetë, pronat e tij të kalojnë në emër të deputetit, dhe Hasani të mos mund ta marr hisen që i takon.

Pra, Ardita Hasani ka deklaruar se ish bashkëshorti i saj është ndikuar dhe kësi soji ka vendosur ta largoj atë nga shtëpia, e të divorcohet pas 27 viteve martesë, që ajo të mos mund ta marrë pasurinë që i takon.

Ajo ka deklaruar: Shtëpia ku kemi jetuar ka qenë në emër të bashkëshortit. Kam dëgjuar nga kunati, Lutfi Haziri, se ai e ka bartur shtëpinë në emër të tij. Sipas tij, kur të vdesë vëllai, neve na hedh në rrugë. Dyshoj se shtëpia, pasi nuk është më në emër të bashkëshortit, mund të jepet për ndërtimin e banesave. Është plotësisht normale që në të ardhmen unë të kërkoj ndarjen e pasurisë, sepse me të kam jetuar 27 vite dhe gjithmonë kam punuar.

Të njëjtat dyshime i ka paraqitur edhe djali i çiftit, pra nipi i Lutfi Hazirit. Në deklaratën e tij në polici, ai ka thënë se beson që arsyeja e dëbimit të nënës nga shtëpia ka qenë pasuria familjare.

Ai ka deklaruar: Sipas meje, babi e ka larguar mamin nga shtëpia për shkak të pasurisë. Nga sa kam mundur të kuptoj, babi, në bashkëpunim me vëllain e tij, Lutfi Hazirin, e ka bartur pronën tonë në emër të këtij të fundit. Me sa di unë, babi nuk ka pasur të drejtë të bëjë ndryshime në pronë pa miratimin e mamit.

Insajderi ka kontaktuar Gjykatën Themelore në Gjilan për të sqaruar: Nëse seancat e divorcit mes Ardita Hasanit dhe bashkëshortit të saj janë mbajtur pa praninë e saj; Dhe nëse janë respektuar afatet ligjore në zhvillimin e procesit gjyqësor.

Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij materiali, Gjykata Themelore në Gjilan nuk ka kthyer përgjigje.

Po ashtu, Insajderi ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Gjilan për të pyetur: Deri ku kanë arritur hetimet në rastin e denoncuar nga Ardita Hasani dhe çfarë hapa janë ndërmarrë lidhur me këtë çështje por edhe nga Prokuroria, nuk është dhënë asnjë përgjigje zyrtare deri në publikimin e këtij materiali.

Ekipi i Insajderit ka kontaktuar edhe Lutfi Hazirin, duke i kërkuar një përgjigje lidhur me akuzat e bëra nga ish-kunata dhe nipi i tij. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar disa ditë që nga momenti kur Insajderi i është drejtuar me pyetje, Haziri deri në publikimin e këtij materiali nuk ka dhënë asnjë përgjigje.



Lexoni të gjitha në Bota Sot