Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se Kupa e Botës 2026, e cila do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, do të jetë pjesëmarrja e tij e fundit në këtë kompeticion madhor.
Në një video-konferencë gjatë një forumi për turizmin në Riad, Ronaldo u shpreh qartë për të ardhmen e tij me Portugalinë: “Po, do të jetë Botërori im i fundit. Do të kem 41 vjeç dhe besoj se është koha e duhur.”
Ai nuk i kurseu as batutat, duke thënë se ndonëse deklaron shpesh që do të tërhiqet “shpejt”, për të “shpejt” nënkupton “pas dhjetë vitesh”, mes të qeshurave për keqkuptimet që krijohen rreth deklaratave të tij.
Për CR7, ky është fundi i një rruge të mbushur me rekorde, gola dhe momente që kanë lënë gjurmë. Botërori 2026 pritet të jetë jo vetëm lamtumira e tij në arenën ndërkombëtare, por edhe mbyllja e një epoke që ai e ka ndarë shpesh me rivalin e tij historik, Lionel Messi.