Dy anëtarë të ekipit të parë të gjigantit spanjoll Barcelona kanë arritur të marrin pjesë në çdo ndeshje të klubit gjatë këtij sezoni deri më tani.
Dyshja në fjalë? Eric García dhe Marcus Rashford.
Mbrojtësi Eric dhe sulmuesi Rashford janë shndërruar në dy nga surprizat më të mëdha të skuadrës së Hansi Flick këtë sezon.
Në rastin e Garcías, i cili më parë konsiderohej si lojtar rezervë, forma e tij e shkëlqyer ka bërë që ai të kthehet në një nga emrat e parë që Flick vendos në formacionin titullar në kryeqytetin katalanas.
Ndërkohë, Rashford, i cili u afrua gjatë verës dhe pritej të luante kryesisht si zëvendësues për të mbështetur sulmin e yjeve të Barcelonës, ka përfituar nga kriza e dëmtimeve që ka goditur ekipin.
Anglezi është detyruar të marrë një rol shumë më të rëndësishëm dhe ka reaguar me statistika mbresëlënëse në aspektin e golave dhe asistimeve.
Në total, këta dy lojtarë të Barcelonës kanë marrë pjesë në të gjitha 16 ndeshjet e skuadrës deri tani – 12 në La Liga dhe katër në Ligën e Kampionëve.