Gjashtë tifozë të skuadrës së Sileksit nga Kratova do të marrin padi për kundërvajtje, pasi të njëjtit në ndeshjen e fundjavës kundër skuadrës shqiptare të FC Shkupit, kishin ofenduar në baza nacionale.
“Më 10.11.2025 në stadiumin në Kratovë, gjatë ndeshjes së futbollit midis KF “Sileks” nga Kratova dhe KF “Shkupi” nga Shkupi, oficerët e policisë nga SP Kratovë kanë konstatuar shkelje të Ligjit për Parandalimin e Dhunës dhe Sjelljes së Padenjë në Ndeshjet Sportive.
Konkretisht, gjatë dhe pas ndeshjes, është konstatuar se S.Ç. (31), S.D. (28), D.I. (29), M.T. (28), S.P. (27) dhe T.K. (45), të gjithë nga Kratova, janë sjellë në mënyrë të papërshtatshme dhe kanë bërtitur mesazhe dhe thirrje me përmbajtje fyese.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, ende nuk ka asnjë kallëzim penal ndaj tifozëve të Pelisterit, që gjithashtu kishin ofenduar shqiptarët në baza nacionale gjatë ndeshjes së 25 gushtit në Manastir në ndeshjen kundër FC Shkupit.
Nga MPB thonë se kanë ndërmarrë masa për identifikimin e personave, ndërsa klubit të Pelisterit i kanë shqiptuar gjobë.