Klubi i futbollit Kosova e Dusseldorfit nuk po kalon seri të mirë të rezultateve në Landesliga.
Si rrjedhojë e kësaj, Alfonso del Cueto, shkarkohet nga pozita e trajnerit.
“Që nga e hëna, trajneri Alfonso del Cueto nuk do të jetë më në krye të FC Kosovës.
Pas një serie rezultatesh të dobëta, drejtuesit e klubit kanë vendosur ta ndërpresin bashkëpunimin me teknikun spanjoll dhe t’ia besojnë sërish drejtimin e skuadrës një emri të njohur për të gjithë tifozët kuqezi – Ibo Cöl”, thuhet në njoftimin e klubit.
Alfonso del Cueto nuk i zgjati shume pozita e trajnerit në klub, kulmi ishte humbja e fundit me rezultat 3:0 nga VfB Hilden II.
“Del Cueto mori drejtimin e skuadrës pas përfundimit të sezonit 2024/25, kur FC Kosova nuk arriti objektivat ngritjen në Oberlig
Në 13 ndeshje kampionati, ai regjistroi 7 fitore dhe 6 humbje, duke grumbulluar 21 pikë dhe e la skuadrën në vendin e gjashtë të renditjes. Përveç kampionatit, Cueto drejtoi edhe dy ndeshje në Kupën Rajonale, të cilat i fitoi, si dhe disa miqësore përgatitore.
Megjithatë, katër humbjet radhazi, mes tyre ajo më e dhimbshmja – humbja në finalen e Kupës së Diasporës kundër FC Kosovës së Gjenevës, në fushën tonë – vulosën fundin e aventurës së tij pesëmujore në pankinën kuqezi”, thuhet më tej.
Në komunikatën e klubit sqarohet edhe pozita e trajnerit të ri Ibo Cöl.
“Emri i Ibo Cöl lidhet ngushtë me historinë më të bukur të FC Kosovës në vitet e fundit. Ai e mori skuadrën në sezonin 2019/20 dhe e drejtoi deri në fazën e parë të 2022/23, periudhë gjatë së cilës arriti ta ngjisë klubin në Bezirksliga, edhe pse periudha e pandemisë e vështirësoi mjaft punën.
Nën drejtimin e tij, FC Kosova fitoi Kupën e Diasporës në vitin 2021, ndërsa statistikat flasin vetë: në 55 ndeshje kampionati, Cöl regjistroi 43 fitore, 5 barazime dhe vetëm 7 humbje – një bilanc mbresëlënës. Ai u largua në sezonin 2022/23, pas një fillimi të dobët me dy humbje radhazi, por emri i tij ka mbetur gjithmonë i respektuar në klub.
47-vjeçari turk Ibo Cöl rikthehet tani me synimin e qartë për ta çuar FC Kosovën drejt sukseseve të ardhshëm.
Avantazhi i tij më i madh është njohja e thellë e psikologjisë së klubit dhe e frymës së skuadrës.
Ai gjen një grup të ri, të talentuar dhe ambicioz, si dhe mbështetjen e plotë të kryesisë, tifozëve dhe vetë lojtarëve.
Ky rikthim i trajnerit do jetë një mundësi e shkëlqyer për të përfaqësuar e ngjitur ekipin, por dhe veten në një ligë më lart, pasi me përkushtimin dhe dëshirën që e karakterizon, Cöl premton të jetë zgjedhja e duhur për të ardhmen.
Rikthimi i tij do të vihet menjëherë në provë këtë të diel, në orën 15:30, kur FC Kosova do të përballet në fushën e saj me Solingen 03, kryesuesen e kampionatit. Një sfidë e fortë, por edhe një mundësi perfekte për ta nisur me këmbë të mbarë epokën e re të Ibo Cöl.
Suksese trajnerit tonë të ri dhe gjithë skuadrës kuqezi!”, thuhet nga klubi.