Ylli i Realit ‘dërgohet’ në shtëpi nga kombëtarja e tij, zbulohet arsyeja

- Bota Sot

Ylli i Realit ‘dërgohet’ në shtëpi nga kombëtarja e tij, zbulohet arsyeja

Ylli i Real Madridit, Thibaut Courtois, është dërguar të martën përsëri në Madrid nga kombëtarja belge.

Kjo ka ndodhur pasi portieri iu nënshtrua një sërë testesh mjekësore nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të Belgjikës.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar në rrjetet sociale të kombëtares thuhej: “Thibaut Courtois iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore këtë pasdite nga stafi mjekësor i RBFA. Ai nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare dhe do të kthehet në klubin e tij për trajtim të mëtejshëm”.

Courtois pësoi dëmtimin e fundit fundjavën e kaluar, gjatë barazimit 0-0 të Real Madridit me Rayo Vallecanon.

Sipas njoftimit të klubit madrilen, ai ka “dëmtim në muskujt e gjatë të kofshës së djathtë”.

Megjithëse Real Madrid kishte bërë tashmë ekzaminimet e tij, stafi mjekësor belg kërkoi të kryente analiza shtesë, të cilat konfirmuan të njëjtin rezultat.

Shpresa është që Courtois të rikuperohet dhe të jetë gati për përzgjedhje në ndeshjen e La Ligës kundër Elches më 23 nëntor.



Lexoni të gjitha në Bota Sot