‘Klauzola Beckham’ që mund të mundësojë kthimin e përkohshëm të Messit te Barcelona

- Bota Sot

‘Klauzola Beckham’ që mund të mundësojë kthimin e përkohshëm të Messit te Barcelona

Vizita e papritur e Lionel Messit në “Spotify Camp Nou” ka ndezur sërish shpresat e tifozëve të Barcelonës për një rikthim të mundshëm të ‘yllit’ argjentinas.

Publikimi i tij në Instagram, ku shfaqej mbi fushën e klubit dhe shkruante “U ktheva në një vend që e mungoj me shpirt...

Uroj që një ditë të mund të kthehem”, ka bërë që shumë të besojnë se një rikthim, qoftë edhe i përkohshëm, mund të ndodhë realisht.

Sipas gazetës ‘Marca’, një mundësi ligjore që e bën këtë ide të besueshme është e ashtuquajtura ‘klauzola Beckham’, e cila lejon futbollistët e MLS-së të huazohen përkohësisht në klube të tjera gjatë periudhës së pushimit të kampionatit amerikan.

Kjo periudhë zgjat nga fillimi i dhjetorit deri në fund të shkurtit, përpara se sezoni i ri të nisë në fund të muajit shkurt.

Kjo do të thotë se Messi, i cili është nën kontratë me Inter Miamin, mund të huazohet në Barcelonë për rreth tre muaj pa e prishur marrëveshjen me klubin amerikan, një periudhë shumë e vlefshme për Barcelonën, pasi përkon me momentet vendimtare të sezonit në La Liga dhe Ligën e Kampionëve.

Ekzistojnë edhe raste të mëparshme që e mbështesin këtë praktikë: Landon Donovan u huazua dy herë tek Evertoni, ndërsa edhe emra si Thierry Henry, Robbie Keane dhe vetë David Beckham kanë përdorur të njëjtin mekanizëm për të luajtur në Evropë gjatë pushimit të MLS-së.

Pas postimit të Messit, ku ai kujtonte me mall vitet e arta në Barcelonë dhe dashurinë e tifozëve, fansat kanë shpërthyer në entuziazëm duke ëndërruar ta shohin sërish me fanellën “blaugrana”.

Nëse “Klauzola Beckham” do të zbatohej edhe për Messin, kjo do të ishte mënyra ideale për të mbyllur siç duhet historinë e tij të jashtëzakonshme me Barcelonën, një rikthim simbolik që do të bashkonte sërish klubin dhe lojtarin më të madh në historinë e tij.



Lexoni të gjitha në Bota Sot