Dy banka gjermane kanë mbyllur llogaritë e degëve rajonale të partisë ekstremiste të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), gjë që ka shkaktuar një reagim të ashpër nga partia, e cila pretendon se vendimi është politikisht i motivuar.
Ky veprim është i fundit në një seri masash me të cilat kompanitë gjermane po distancohen nga AfD, shkruan Euronews.
Verbund Volksbank OWL dhe Volksbank në Ostwestfalen kanë konfirmuar për mediat lokale se kanë mbyllur llogarinë e degës rajonale të AfD-së në Minden-Lübbecke, por kanë refuzuar të japin detaje, duke iu referuar sekretit bankar. Nga AfD-ja thanë se llogaria u nevojitet për funksionimin normal të partisë. “Individët privatë, kompanitë, partitë politike apo fraksionet: të gjithë kanë nevojë për një llogari bankare. Pagesat e rregullta, siç janë pagat e punonjësve, kryhen përmes kësaj llogarie,” thuhet në njoftimin e tyre.
Kryetari i degës rajonale të AfD-së, Sebastian Landwehr, ka dënuar vendimin, duke e quajtur atë një sulm ndaj, siç thotë ai, “partisë më të madhe opozitare në Gjermani”. “Duke qenë se nuk ka asnjë parregullsi nga ana e degës rajonale të AfD-së dhe besueshmëria e saj nuk ka ndryshuar, mbetet vetëm një shpjegim: Ky është i ashtuquajturi ‘debanking’, domethënë mbyllje llogarie e motivuar politikisht,” deklaroi Landwehr.
Ky nuk është rasti i parë i tillë. Në janar të këtij viti, Volksbank Düsseldorf-Neuss mbylli llogarinë e degës lokale të AfD-së. Gjatë verës 2024, Berliner Volksbank mbylli llogarinë e donacioneve të organizatës federale të partisë pas një peticioni të grupit “Gjyshet kundër djathtës”, ndërsa në shtator të vitit të kaluar Deutsche Kreditbank i anulloi llogaritë dhe kartat një politikani të zgjedhur të AfD-së nga Tiringia. Pas këtij veprimi të fundit, partia ka bërë thirrje të gjithë “klientëve me orientim demokratik të Volksbank” që të “kalojnë në një bankë tjetër”.
Presioni ndaj partisë rritet edhe jashtë sektorit bankar. Kompani si Deutsche Bahn, Siemens dhe Miele kanë zhvilluar fushata kundër AfD-së para zgjedhjeve federale, duke pretenduar se qëndrimet e partisë bien ndesh me vlerat e tyre.
Situatën e komplikon edhe fakti që Zyra Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës në maj ka klasifikuar AfD-në si një organizatë të konfirmuar ekstremiste të djathtë. Një klasifikim i tillë i jep peshë ligjore vendimeve të kompanive private për të trajtuar partinë si një rrezik sigurie.
Mediet gjermane raportojnë se bankat që janë në pronësi të anëtarëve të tyre ligjërisht mund të mbyllin llogaritë e AfD-së. Megjithatë, shoqëritë publike të kursimeve (Sparkassen) janë të detyruara të mbajnë llogari për partitë politike, gjë që është konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Federale Administrative në vitin 2018, i cili i referohet privilegjeve të garantuara nga Kushtetuta për partitë. Kjo do të thotë se për AfD-në mbetet opsioni i llogarive në bankat publike.