Kombëtarja e Anglisë do të zhvillojë nesër ndeshjen e saj të parafundit në kualifikimet për Kupën e Botës, ku do të presë Serbinë në stadiumin legjendar “Wembley”.
Megjithatë, skuadra mike do të ketë mungesë të mbështetjes nga tifozët e vet, pasi Federata Serbe e Futbollit ka vendosur të mos shesë bileta për sektorin e tifozëve miq.
Anglia e ka siguruar tashmë pjesëmarrjen në Botërorin e verës së ardhshme, pas gjashtë fitoreve në po aq ndeshje kualifikuese. Në përballjen e shtatorit në Beograd, “Tre Luanët” fituan me rezultatin e thellë 5-0, duke vazhduar formën e shkëlqyer nën drejtimin e Thomas Tuchel.
Megjithatë, ajo ndeshje u shoqërua me kontestime, pasi disa lojtarë anglezë u shënjestruan me lazer nga tribuna, ndërsa tifozët serbë u përplasën në shkallët e stadiumit, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të rendit.
Vetëm një muaj më vonë, FIFA gjobiti Federatën Serbe me 83 mijë paund për sjelljen e tifozëve në ndeshjen ndaj Shqipërisë në kuadër të po këtyre kualifikueseve.
Duke marrë parasysh këto episode, Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ka njoftuar se nuk do të marrë përsipër shitjen apo shpërndarjen e biletave për sfidën ndaj Anglisë.
Në deklaratën zyrtare thuhet: “Duke pasur parasysh përvojat e mëparshme dhe gjobat shumëmilionëshe të paguara, jo vetëm për ndeshjet në shtëpi, por edhe për incidentet në transfertë, Federata e Futbollit të Serbisë nuk do të ndërmarrë shitjen e organizuar të biletave për sektorin e tifozëve miq në ‘Wembley’, as nuk do të mbajë përgjegjësi për sjelljen e tyre gjatë ndeshjes kundër Anglisë”.