Nigeria po përjeton orë të tensionuara, në prag të gjysmëfinales së “playoff”-it për Botërorin 2026 kundër Gabonit.
Lojtarët që kanë mbërritur në Rabat për t’u përgatitur për një ndeshje vendimtare pas një rrugëtimi të luhatshëm në kualifikime, vendi i dytë në Grupin C pas Afrikës së Jugut, shpresonin të rigjenin përqendrimin dhe unitetin.
Qëllimi është i qartë: të sigurojnë finalen e së dielës, sërish në kryeqytetin maroken, dhe të vazhdojnë garën për t’u rikthyer në Kupën e Botës pas mungesës së dhimbshme në Katar.
Por qetësia është zhdukur shpejt.
Të hënën, i gjithë grupi i lojtarëve, përfshirë edhe stafin teknik, bojkotoi stërvitjen për të protestuar ndaj mosshlyerjes së shpërblimeve, të cilat nuk janë paguar prej muajsh.
Një situatë – sipas “Foot Mercato” – për fat të keq jo e re për futbollin nigerian, e cila rrezikon të dëmtojë përgatitjet në një moment vendimtar.
Federata po përpiqet të gjejë një zgjidhje, por përçarja duket e thellë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ditët e fundit ka shpërthyer edhe “çështja Iobi”: anësori i Fulhamit publikoi në Snapchat një video ku ironizonte për cilësinë e hotelit të skuadrës në Rabat, gjë që zemëroi tifozët marokenë.