Superylli portugez, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar se shpreson që tifozët e Irlandës ta fishkëllojnë gjatë ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës që do të zhvillohet të sonte në Dublin, mes Irlandës dhe Portugalisë.
Portugalia mund të sigurojë matematikisht kualifikimin në Botërorin 2026 me një fitore, ndërsa Ronaldo tha se jehona e tifozëve ndaj tij mund të ndihmojë bashkëlojtarët të luajnë më të qetë.
“Stadiumi do të më fishkëllojë, jam mësuar me këtë. Shpresoj shumë që ta bëjnë, ndoshta kjo do të lehtësojë presionin mbi lojtarët e tjerë,” u shpreh Ronaldo në konferencën për shtyp të së mërkurës.
Kapiteni 40-vjeçar pranoi se e pret një ndeshje “të vështirë”, duke e cilësuar Irlandën si një kundërshtar që “rri prapa dhe e mban hapësirën të mbyllur”.
Fituesi i pesëfishtë i Topit të Artë, i cili aktualisht luan për Al Nassr në Arabinë Saudite, ka shënuar 953 gola në karrierë dhe është golashënuesi më i mirë ndërkombëtar në histori, me 143 gola për Portugalinë.
I pyetur për mundësinë që goli i tij i 1000-të të vijë në finalen e Botërorit, Ronaldo u përgjigj me humor:
“Ke parë shumë filma, kjo do të ishte shumë perfekte,” tha ai me të qeshur.
“Por të gjitha këto të dhëna më bëjnë të lumtur. Më pëlqen të jem në gjendje të bëj diferencën me golat.”
Ronaldo konfirmoi gjithashtu dëshirën për të luajtur në Kupën e Botës për herë të gjashtë, por pranoi se ajo mund të jetë e fundit për të:
“Dua të luaj në Botërorin e ardhshëm, përndryshe nuk do të isha këtu. Por le ta marrim hap pas hapi,” tha ai.
Në fund, ai shtoi se aktualisht fokusi i tij i vetëm është kualifikimi i Portugalisë:
“Nuk ka kuptim të përsëritesh dhe të humbasësh përqendrimin. Më vonë do të flas për të ardhmen, por tani kemi një tjetër mundësi për të qenë në një tjetër finale”.