Vllaznia ka marrë kryesimin në kampionatin kombëtar të futbollit për femra, falë fitores në ndeshjen e prapambetur kundër Partizanit.
Shkodranet e kaluan me sukses tranafertën e djeshme në “Arenën e Demave”, duke triumfuar me rezultatin 0-2 përballë kryeqytetaseve.
Vajzave kuqeblu u mjaftuan dy penallti në pjesën e parë të takimit për të hipotekuar suksesin, me Megi Doçin që u tregua e saktë në dyja rastet nga pika e bardhë.
Të kuqet e trajneres Cyme Lulaj provuan të rezistonin, por ekuilibrat do të prisheshin në minutën e 17-të, aty ku Doçi realizoi golin e parë me 11- metërsh.
Kampionet në fuqi vijuan ofensivën, ndërsa në fundin e pjesë së parë fituan një tjetër 11-metërsh, të ekzekutuar saktë nga Doçi në të 41-ën.
Partizani ishte i pafuqishëm për të reaguar, ndërsa në fundin e takimit mbeti edhe më një lojtare më pak në fushë, teksa Egzona Gashi mori karton e dytë të verdhë, duke iu drejtuar para kohe dusheve.
Kështu gjithçka mbyllet me fitoren e pastër për skuadrën që drejtohet nga trajneri Nikolin Leka, me Vllazninë që vijon ecurinë me pikë të plota në kampionat.