Juventusi ka filluar të trembet për të ardhmen e Kenan Yildiz.
Siç është raportuar ditët e fundit, bisedimet për rinovimin e kontratës me talentin turk janë në një fazë bllokimi, dhe kjo situatë ka tërhequr menjëherë vëmendjen e disa prej gjigantëve evropianë.
Real Madrid, Chelsea dhe Arsenal janë tre klubet që po përgatisin sulmin e tyre për verën e ardhshme, me synimin ta tundojnë numrin 10 bardhezi me një ofertë financiare që aktualisht duket jashtë mundësive të Juventusit.
Aktualisht, Yildiz fiton rreth 1.7 milionë euro në vit, një shifër që e rendit në vendin e 19-të në skuadër, vetëm Perin, Rugani, Miretti, Cabal, Pinsoglio dhe Adzic fitojnë më pak.
Përfaqësuesit e tij kërkojnë një rritje të ndjeshme të pagës, në përputhje me rolin e tij si një prej yjeve kryesorë të ekipit, duke kërkuar një shifër rreth 6 milionë eurosh në sezon.
Kjo shumë do të ishte më e ulët se ajo e Vlahovic, por në nivel të ngjashëm me atë të David, që pritet të bashkohet me skuadrën.
Nga ana tjetër, Juventusi nuk është i gatshëm të shkojë përtej 5 milionëve, të paktën në këtë fazë. Megjithatë, bisedimet pritet të rifillojnë, pasi kontrata aktuale e turkut është e vlefshme deri në vitin 2029.
Ky fakt nënkupton se, edhe në rast se merret në konsideratë mundësia e shitjes, Juventusi do të përcaktojë çmimin: me një vlerë tregu që vlerësohet rreth 75 milionë euro, klubi torinez nuk do ta lëshonte për më pak se 100 milionë.