Zlatan Ibrahimovic, një nga futbollistët që ka luajtur në disa nga ligat më të forta të botës, ka folur për ndryshimet mes futbollit në Spanjë, Itali dhe Angli. Suedezi, që ka veshur fanellat e Barcelonës, Milanit dhe Manchester Unitedit, i njeh nga afër stilet e ndryshme të lojës.
Sipas tij, futbolli spanjoll karakterizohet nga dëshira për të luajtur me topin dhe për ta ndërtuar lojën që nga prapa. “Në La Liga, edhe ekipet më të vogla përpiqen të luajnë dhe të krijojnë, pa e humbur stilin e tyre”, tha Ibra.
Për futbollin italian, ai thekson se është shumë taktik dhe i përqendruar në mbrojtje. “Në Itali, mbrojtja është më e rëndësishme se sulmi. Për një sulmues është e vështirë, por kur shënon, ndjenja është e mrekullueshme.”
Ndërsa për Premier League, Ibrahimovic thotë se ritmi është jashtëzakonisht i lartë. “Në Angli luajnë me shpejtësi të plotë, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Edhe nëse ke shumë teknikë, nëse nuk e përballon ritmin, e ke të vështirë të mbijetosh.”
Ibra është një nga të paktët lojtarë që ka fituar në pothuajse çdo kampionat ku ka luajtur, duke lënë pas një karrierë të pasur plot përvoja në futbollin botëror.