Kombëtarja e Kosovës po vazhdon me intensitet përgatitjet për ndeshjen e parë vendimtare të këtij muaji në kualifikimet e Botërorit 2026 kundër Sllovenisë, e cila zhvillohet të shtunën në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë.
Edhe në seancën e sotme stërvitore, përzgjedhësi Franco Foda ka vënë theksin te aspektet taktike, duke punuar intensivisht në tranzicionin e lojës mes reparteve.
Lajmi më i mirë është se të gjithë futbollistët janë në gjendje të shkëlqyer fizike dhe të gatshëm për lojë.
Atmosfera brenda kampit të Dardanëve është tejet pozitive.
Të gjithë e presin me padurim këtë ndeshje me besim të lartë për një rezultat pozitiv, i cili do t’i siguronte Kosovës pjesëmarrjen në play-off, por njëherësh do ta mbante edhe në garë për kualifikim direkt.