Sipas raportimeve të ‘El Mundo Deportivo’-s, Barcelona ka dorëzuar një dokument të ri në Këshillin Bashkiak të qytetit, duke kërkuar miratimin për t’u rikthyer në “Camp Nou” me një kapacitet prej 45,000 vendesh.
Autoritetet lokale janë aktualisht duke shqyrtuar dokumentacionin, dhe pas këtij hapi pritet që në ditët në vijim të zhvillohet një inspektim teknik në stadium.
Puna në fushën e stadiumit tashmë është përfunduar, megjithatë pjesa e infrastrukturës së tribunave dhe ambienteve të tjera nuk është ende e plotë për të pritur spektatorë në kapacitet të plotë. Deri tani, “Camp Nou” mund të presë rreth 27,000 tifozë, por drejtuesit e Barcelonës besojnë se kushtet aktuale lejojnë pritjen e deri në 45,000 spektatorëve.
Klubi katalanas po vlerëson gjithashtu të ardhurat që do të gjenerohen nga rikthimi i tifozëve në shtëpinë historike, e cila ka qenë në rikonstruksion për gati tri vite.
Barcelona pritet të luajë ndeshjen e parë në “Camp Nou” në fund të nëntorit, duke shënuar kështu rikthimin e shumëpritur të skuadrës në stadiumin legjendar pas një mungese trevjeçare.